Udhëtimet mesdhetare të Çenes

Kurator: Artan Shabani

Adrian Çene, piktori i penelatave të forta plot me ngarkese emocionale, mjeshtri i telajos së ngjyrosur nga emocioni vibrues, artisti që rrëmben befas shikuesin per ta hipnotizuar me shkathtësinë e shprehjes së tij të natyrshme.

Pikturat e Adrian Çenes frymohen nga udhëtimet mesdhetare me zanafillë jugun e Shqipërisë: Qeparoi, Parga, Himara, Vlora, Berati, etj., mbeten qytetet dhe vendet që diktojnë ritmin e penelatave të tij. Peizazhe ku drita e kërkuar përçon ndjeshëm, si deklaratë dashurie e artistit me këtë cep të botës, marrëdhënie e pandarë ndërmjet hapësirës së tij frymëzuese dhe natyrës së përzgjedhur, me të cilën dialogon nëpërmjet gjuhës së derdhur në magjinë e ngjyrave

Riviera in Qeparo

Title: Riviera in Qeparo | Riviera ne Qeparo
Artist: Adrian Cene
Date: 2017
Dimensions: 50 x 70 cm
Medium: Watercolor | Akuarel
Collection: Promenade Gallery

Peizazhet e Çenes më shpien në Côte D’Azur, nga Antibes në Marseille, nga Nice ne Esterel me okrën si pigment mbizotërues, apo Aix-en-Provence deri në St. Jean Cap Ferrat, me blunë kobalt dhe shumëçka ku mund të imagjinohet tavaloca e dritës. Vende në të cilat artistë si Picasso, Matisse, Peynet, Cézanne e shumë të tjerë kërkuan papushim vezullimin frymëzues që pasqyruan më pas në kryeveprat e historisë së artit, të njëjten dritë që artistët nuk reshtin së kërkuari edhe sot e kësaj dite: një magji që nuk mund të shpjegohet pa e jetuar artistikisht!

Ndjesia e profumeve të natyrës mesdhetare e bën pikturen e Çenes disi aromatike. Përveç energjisë pozitive që çlirohet vetvetiu, shikuesi gjen në të pastozitetin dhe kërkimin e harmonisë totale. E gjitha kjo është pasion, emocion dhe dashuri autentike, e shprehur me alfabetin e një tavaloce ritmike.

Hyjmë në studio, aty ku artisti humbet në epshin e krijimit, ku konturon kujtesën dhe na befason duke treguar natyrshëm kompozimet apo figurat e nudove që u përngjajnë klithmave emocionale. Figura që nuk kërcënojne askënd por hipnotizojnë dhe magjepsin vetë krijuesin. Ndoshta këtu mjeshtri kthehet në spektator dhe rolin kryesor e merr vete tabloja, e cila na vjen e dokumentuar sot nëpërmjet këtij katalogu të plotë, ku artdashësi gjen një pjesë domethënëse të rrugëtimit të artistit.

Aphrodite with cupid
Date: 2014, Dimensions: 150 x 180 cm, Medium: Oil painting on canvas (Vaj në kanavacë)

Duke qëndruar në studion e Çenes ndjehemi të mbikëqyrur nga portretet e shumta, portrete të guximshme, të cilat duken sikur kërkojnë të dalin nga sipërfaqja e kanavacës; portrete të gdhëndura në penelata pastoze dhe ku në mënyrë spontane pretendon tingujt e zërave si në ansamblin e polifonisë libohovite, polifoni e ngulitur thellë në origjinën e artistit dhe ku zërat nuk zbehen thjesht si një sfumaturë akuareli.

Vështrimit në atelier nuk mund t’i shpëtojnë vizatimet në letrat e zverdhura nga koha, punime të liceut apo të periudhës akademike, te cilat do të mahnisnin këdo që e njeh delikatesën e linjës dhe elegancën sqimatare të lapsit. Vizatime realizuar mjeshtërisht në moshë te re dhe që plotësojnë repertorin krijues të piktorit, ndërmjet të cilave gjejmë skica portretesh, pjesë te anatomisë, figura në bregdet, natyra të qeta dhe akuarele plot freski, letra të renduara nga pastelet e vajit dhe nga karbonet të cilat, si suvenir, lëne shenjë në mollëzat e duarve ndërsa i shfletojmë.

Solder

Title: Solder | Ushtar
Artist: Adrian Cene
Date: 2012
Dimensions: 100 x70 cm
Medium: Carbon on paper | Karbon mbi leter
Collection: Promenade Gallery

Ashtu si ky katalog shenjon fort në emocionin e shijimit, duke na ngulitur në kujtesë udhëtimet mesdhetare të pikturës së artistit Adrian Çene. Mbetemi në pritje të shtegtimeve të tjera. Artisti, si eksplorator, nuk mund të ndaloje kurrë!